Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar edhe të hënën në rrugën “Qesk Zadeja” në Prizren, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas kontrollit policor, te shoferi i dyshuar, Policia ka arritur të gjejë sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë, ndërsa në shtëpinë e tij është gjetur kokainë.
Përveç drogës, është sekuestruar edhe një veturë dhe mbi 1 mijë euro para të gatshme.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit./Gazeta Sinjali/