Qe 11 ditë, disa policë të Policisë së Kosovës, kanë mbetur të bllokuar në objektet policore në Jarinjë e Leposaviq. Kjo për shkak të barrikadave të vendosura nga qytetarët serbë atje. Ndonëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për heqjen e kamionëve e makinerive të rënda, kryesindikalisti Imer Zeqiri thotë se brenda një “kohe të shkurtër” do të bëhet ndërrimi i tyre, derisa ka një kritikë për KFOR-in.
Sot është dita e 11-të prej kur serbët lokalë kanë vendosur barrikada në disa rrugë në Veri, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Bllokimi i rrugëve ka pasuar me bllokimin e policëve që ishin dhe po vazhdojnë të jenë në Leposaviq dhe Jarinjë.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë për Express, se policët që ndodhen atje kanë ushqim, ujë të pijshëm e derivate të mjaftueshme.
Mirëpo, Zeqiri deklaroi se qëndrimi në punë për 11 ditë është “jashtë normales”, ndërsa shtoi se nuk e kupton hezitimin e KFOR-it për asistencë në ndërrimin e policëve.
“Është tejkaluar gjithçka e normales, që qe 11 ditë të qëndrojnë në punë ditën edhe natën, ky është shqetësimi jonë. Ambienti ku janë ata nuk është me kushte normale, kanë ushqim të mjaftueshëm, ushqim i konservuar dhe ujë të pijshëm. Ata kanë edhe derivate, por pengesa është që nuk është bërë ndërrimi i policëve. Kjo është shkelje e rëndë që po vjen shkaku i barrikadave. Shqetësimi ynë është hezitimi i KFOR-it për asistencë, nuk po e kuptoj pse po ndodh kjo. Situata të tilla kemi pasë edhe më herët dhe na kanë asistuar që të bëjmë ndërrimin e policëve”, u shpreh Zeqiri.
Zeqiri tha për Express se janë duke u shqyrtuar mundësitë që “brenda një kohë të shkurtër do të bëhet ndërrimi i tyre”, mirëpo nuk dha ndonjë afat të caktuar kohor.
“Janë duke u shqyrtuar mundësitë që brenda një kohe të shkurtë, brenda disa ditësh, do të bëhet ndërrimi i policëve dhe do të normalizohet puna e Policisë së Kosovës”.
Kryesindikalisti tha se vazhdimisht janë në kontakt me policët në Leposaviq e Jarinjë, derisa tregoi se çka i kanë thënë ata.
“Kur po flas me ta, ata po thonë që pa ardhë dikush ne nuk lëvizim, pra kanë një vullnet dhe moral jashtëzakonisht të lartë dhe i kanë të gjitha pajisjet që iu nevojiten për të kryer punën”, tha Zeqiri.
Ai bëri të ditur se kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të asistojnë në procesin e ndërrimit të policëve, pa dhënë më shumë detaje.
“Është penguar puna e policisë dhe liria e lëvizjes për qytetarët. U kemi bërë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare që të na asistojnë që të zhbllokohen punët para se të ndodh kriza humanitare”, tha ai.