Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte, si dhe personat e përfshirë marrin vetë drejtësinë në duar, raporton Gazeta Sinjali.
Një borxh është bërë mollë sherri edhe për dy persona në Prizren, me ç’rast një person dyshohet se ka sulmuar një 33-vjeçar.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur dje pasdite, ku i dyshuari pas një mosmarrëveshje për një obligim financiar, dyshohet se ka eskaluar në dhunë fizike, duke e rrahur viktimën.
33-vjeçari ka marrë lëndime trupore dhe si rrjedhojë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, pasi që i njëjti me të kryer veprën është larguar për në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.