Selia Botërore e Bektashinjve e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për krijimin e një shteti Bektashi brenda territorit të Shqipërisë.
Kryegjyshata botërore e ka cilësuar si nismë të jashtëzakonshme krijimi e Urdhrit Bektashi si një entiteti sovran.
“Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”, thuhet në deklaratë.
Siç thuhet në këtë deklaratë një shtet i tillë i kontribon tolerancës fetare, si dhe paqes.
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave”, vazhdohet tutje.