Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prizren. Rreth orës 23:15, gjatë patrullimit në rrugën Ismail Kryeziu (përballë restorantit “Te Sara”), policia ka dëgjuar të shtëna dhe ka lokalizuar menjëherë një person të plagosur.
Viktima, Gj.Sh.,a, rreth 28 vjeçar, është gjetur me dy plagë në këmbë dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Prizrenit. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Bazuar në informacionet e para, dyshohet se Gj.Sh., është qëlluar nga një veturë Audi e bardhë, e cila ka qenë në lëvizje. Personi i plagosur ka deklaruar se nuk e njeh të dyshuarin dhe se ngjarja ka ndodhur papritur, ndërsa ai po ecte në trotuar.
Në vendngjarje janë sekuestruar dy gëzhoja të armës së zjarrit dhe është kryer ekzaminimi kriminalistik. Policia ka marrë deklaratat e dy dëshmitarëve, të cilët kanë qenë afër zonës në momentin e krismave.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren. Personi i dyshuar ende nuk është identifikuar./Gazeta Sinjali/














































