Argjendaritë jo rrallëherë janë cak i grupeve të hajnave, që ia mësyjnë për ta kapur stoli të ndryshme ari e argjendi. Kështu ndodhi të hënën në një argjendari në Prizren, ku intervenoi Policia pasi u denoncua një rast i vjedhjes së rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se argjendaria ‘Gold 2000’ u plaçkit nga hajnat, që arritën të vjedhin katër kilogramë ari dhe argjend.
Bazuar në informacionet e para, stolitë që u vodhën kapin vlerën e rreth 170 mijë eurove.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pronari i argjendarisë ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka rrëfyer se si ndodhi rasti kur hajnat iu futën në lokal dhe ‘avulluan’ arin dhe argjendin që gjetën.
Si rezultat, njësitë policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme që çojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve./Gazeta Sinjali/