Pritjes i erdhi fundi. Sot do të nisin garat e mëdha të pingpongut, të cilat këtë radhë do të zbarkojnë në Kosovë.
Federata e Pingpongut e Kosovës është gati për t’u pritur dy gara të mëdha, WTT Youth Contender, e cila do të nisë sot dhe do të zgjasë deri më 1 qershor, si dhe garën tjetër prestigjioze WTT Feeder Prishtina, e cila do të mbahet prej 3 deri më 7 qershor, shkruan “Gazeta Express”.

Salla sportive në Pallatin e Rinisë në Prishtinë e ka marrë pamjen finale përderisa e gjithë hapësira u përgatit me kujdes maksimal, në përputhje të plotë me standardet e World Table Tennis.
Ky super event pritet të sjellë në Prishtinë mbi 600 sportistë nga 45 shtete, përfshirë edhe 12 vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, një mundësi e madhe për afirmim ndërkombëtar dhe diplomaci sportive.
Federata e Pingpongut e Kosovës i fton tifozët që të shkojnë në palestër dhe ta përjetojnë nga afër emocionin e pingpongut botëror, në zemër të Prishtinës.