Një studim i ri zbulon se pijet e paketuara në shishe qelqi përmbajnë deri në 50 herë më shumë grimca mikroplastike sesa pijet e paketuar në shishe plastike apo kënaçe. Shkaktar kryesor rezultojnë të jenë kapakët metalikë, të cilët gjatë prodhimit dhe ruajtjes lëshojnë grimca plastike që kontaminojnë përmbajtjen.
Mikroplastika, grimca plastike më të vogla se 5 milimetra, është një problem në rritje pasi gjendet në ujë, ushqim, ajër dhe madje në trupin e njeriut. Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi ndaj tyre lidhet me probleme serioze shëndetësore, përfshirë infertilitetin, çrregullimet hormonale, sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin.
Studiuesit francezë përdorën mikroskopë dhe analiza kimike për të testuar mikroplastikën në ujë, pije të gazuara, limonadë, birrë dhe verë të shitura në Francë. Rezultatet treguan se pijet në shishe qelqi kishin sasi më të larta mikroplastike, veçanërisht ato me kapakë metalikë të mbuluar me bojë, që sipas ekspertëve janë burimi kryesor i grimcave plastike.
“Ky studim sfidon bindjen e zakonshme se ambalazhi prej qelqi është më i sigurt,” thotë Nicole Sparks, pedagoge në Universitetin e Kalifornisë. Ajo sugjeron përdorimin e gotave prej qelqi, çeliku inox ose bambu në shtëpi dhe shmangien e ngrohjes së enëve plastike për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikës.
Ekspertët theksojnë se edhe pse heqja ose pastrimi i kapakëve ul ndjeshëm nivelin e mikroplastikës, ajo nuk eliminon plotësisht rrezikun, pasi grimcat mund të vijnë edhe nga ajri, uji i ndotur ose proceset në fabrikë.
Mikroplastika është gjetur në gjak, qumësht gjiri dhe indet e trupit, duke u lidhur me inflamacion dhe çrregullime metabolike që mund të çojnë në sëmundje kronike. Konsumatorët këshillohen të konsumojnë ushqime dhe pije të freskëta dhe të kufizojnë përdorimin e ambalazheve plastike të papërshtatshme.