Petrit Hoxhaj kërkon zgjidhje urgjente për mungesën e ujit në Vlashnje: Nëse s’ka veprim, rikthehen protestat

0
111

Petrit Hoxhaj, kryetar i LB Vlashnje – Kobaj – Muradem dhe asambleist i partisë GUXO, ka ngritur alarmin për mungesën 26-vjeçare të ujit të pijshëm në fshatin Vlashnje, raporton 04 Online.

Ai thotë se disa lagje nuk kanë ujë që nga paslufta dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga “Hidroregjioni Jugor” dhe Komuna e Prizrenit. Në të kundërtën, paralajmërohen protesta.

Reagimi i plotë:

Prej 26 vitesh, fshati Vlashnje po përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Ndërsa disa lagje nuk kanë ujë që më shumë se një muaj, disa të tjera nuk kanë pasur furnizim me ujë të pijshëm që nga paslufta.

Përgjegjës për furnizimin me ujë në Komunën e Prizrenit është ndërmarrja “Hidroregjioni Jugor”, të cilës i janë drejtuar vazhdimisht kërkesa nga banorët e Vlashnjes, por për fat të keq, pa asnjë rezultat konkret. Po ashtu, çdo vit janë përcjellë kërkesa edhe në adresë të Komunës së Prizrenit për rregullimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit në këtë fshat, mirëpo deri më sot problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

Uji i pijshëm është kusht elementar për jetesë, dhe mungesa e tij përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi madhor, atëherë jemi të detyruar të rifillojmë protestat, ashtu siç kemi vepruar disa vite më parë pranë objektit të KEDS-it.

Kërkojmë me urgjencë nga institucionet përgjegjëse, përfshirë “Hidroregjionin Jugor” dhe Komunën e Prizrenit, që të ndërmarrin masa konkrete për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatit Vlashnje, duke e konsideruar këtë çështje si prioritet urgjent dhe jo më si një problem të neglizhuar.

( ky reagim është vetëm hapi par)

Me respekt,

Petrit Hoxhaj

Kryetar i LB Vlashnje – Kobaj dhe Muradem

Fshati Vlashnje, Komuna e Prizrenit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here