Asambleisti i partisë “GUXO”, Petrit Hoxhaj, ka ngritur shqetësim për gjendjen alarmante në Sheshin “Shatërvan” në Prizren, duke e quajtur atë të ndotur, të paorganizuar dhe të mbushur me lypsarë, qen endacakë e figura absurde, raporton 04 Online.
Ai kërkoi masa urgjente nga komuna për ta ruajtur identitetin historik të qytetit.
Reagimi i plotë i Petrit Hoxhajt:
Shqetësim Publik për Gjendjen Alarmante në Sheshin “Shatërvan”
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, paraqita një sugjerim serioz dhe me përgjegjësi qytetare ndaj Kryetarit të Komunës z.Shaqir Totaj dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike z. Çelë Lamaj: të merren masa urgjente për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sheshit “Shatërvan”.
Fatkeqësisht, disa kolegë kuvendarë nga PDK e keqkuptuan fjalën time, duke menduar se po mohoja punën e bërë deri tani. Dua ta sqaroj qartë: në Shatërvan është punuar dhe punohet, por gjendja aktuale e menaxhimit është alarmante, e mjerueshme dhe aspak dinjitoze.
Sheshi “Shatërvan” është zemra e Prizrenit – historike, kulturore dhe turistike. Por sot është shndërruar në një hapësirë të paorganizuar, të ndotur, pa kontroll dhe pa standard higjienik.
Çdo cep i tij është i pushtuar nga:
• Lypsarë të cilët në mënyrë të organizuar dhe pa autorizim po e keqpërdorin hapësirën publike;
• Qentë endacakë që shëtisin lirshëm dhe na japin një imazh të keq;
• Papastërti, era të pakëndshme dhe mungesë e higjienës elementare;
• Vendosin pajisje moderne e pa shije, që e zhbëjnë identitetin e sheshit;
• Madje tani edhe figura absurde si “palaço” apo persona që shetisin me kalë në mes të sheshit, duke e kthyer zonën në një “cirk të antivlerave”.
Kjo nuk është çështje politike. Është çështje publike. Është çështje shëndeti, dinjiteti dhe imazhi të qytetit tonë.
Qytetarët po reagojnë me shqetësim të madh. Pamjet dhe videot që ata kanë dërguar e tregojnë më së miri këtë realitet të pakëndshëm. Nuk mund të kthejmë sheshin më ikonik të qytetit në një zonë kaosi dhe abuzimi
Shatërvani i vlerave historike nuk duhet të bëhet cirk i antivlerave.
Ruajeni identitetin e qytetit – veproni tani