Petkoviq për targat RKS: Po bëhet për arsye praktike

0
173

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petkoviq, duke insistuar se nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Ai gjithashtu bëri të ditur se vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari, mirëpo nuk specifikoi nëse targat e veturave nuk do të mbuloheshin më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin pesë euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit, që detyronte edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here