“Pesëshja e madhe”, nesër zbarkon në Kosovë e Serbi në përpjekje për të ringjallur dialogun

0
217

“Pesëshja e madhe” do të zbarkojë nesër në Prishtinë e Beograd për atë që thuhet që jetë qëllimi kryesor për ti dhënë një shtytje vazhdimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan Gabriel Escobar, Emmanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të Jashtme i Presidentit të Francës, Jens Plotner i kancerlarit gjerman, si dhe Francesco Talo i kryeministres italiane.

Herën e mëparshme, pesëshja diplomatike ishin në Prishtinë e Beograd në fillim të vitit, kur u fol për planin franko-gjerman të dakorduar në Ohër.

Sipas shumë interpretimeve meqenëse situata pas konfliktit në Banjskë, ka ndryshuar në mënyrë drastike qëllimi i “pesëshes së madhe” do të jetë një përpjekje për të “ringjallur” dialogun, ose ndoshta për të krijuar një strategji të re në negociate.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se qëllimi i vizitës është të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe deeskalimit pas ngjarjeve të fundit.

Sipas tij, të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së, si dhe këshilltarët kryesorë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të vinë për të siguruar “përparim të prekshëm” në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve, sidomos pas sulmit terrorist të Serbisë në Banjskë, më 24 shtator.

Por, për mundësinë e kthimit në negociata, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Kryeministri javën e kaluar, është shprehur se duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses.

Ndër të tjera Kurti tha se është shumë e rëndësishme që në dialog të ketë një qasje të balancuar, përfshirë asaj që të dënohet çdo shkelje e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj.

“Përpjekjet e Serbisë për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje dhe sulme do të vazhdojnë. Njoftova po ashtu senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën këtë status quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses dhe besoj se është tepër e rëndësishme të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim të Ohrit”, tha Kurti ndër të tjera.

Ndërsa, në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, Kurti tha se i ka kërkuar kryeministres serbe, Ana Bërnabiç ta nënshkruajë aneksin e marrëveshjes por që ajo s’ka qenë e interesuar.

Vizita vjen në një moment kur pala kosovare e konsideron urgjente sanksionimin e Serbisë dhe hetimin e sulmit terrorist në veri dhe jo dialogun. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here