Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë, të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën ‘Pal Paluca’ në Prizren, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të veturës brenda së cilës gjendeshin pesë persona, janë gjetur dhe sekuestruar dy qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion të Policisë, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit./Gazeta Sinjali