Kryeministri Albin Kurti tha se i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Kurti sot e ka nisur ditën me një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e misionit të Bashkimit Europian, ndërsa dje tha se ka pasur një telefonatë me Borrellin.
Ai tha se sundimi i ligjit është hapi i parë, duke përfshirë identifikimin dhe ndjekjen penale e gjykimin e drejtë të të gjithë atyre që e kanë sulmuar Policinë, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët.
“1. Sundimi i ligjit në katër komunat veriore dhe identifikimi dhe ndjekja e atyre që kanë sulmuar policinë, KFOR-in dhe gazetarët;
2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës;
3. Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë;
4. Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, që do të mbahen në atmosferë të lirë dhe demokratike, dhe;
5. Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialog në të cilin BE-ja siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur si dhe në javën që vjen të organizohet takim i nivelit të lartë”.