Përurohet ura në Rogovë, Kurti: Lajm i mirë për hasjanët

0
109

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë përuruar urën në Rogovë të Hasit.

Pas përurimit, Kurti ka thënë se në fund të vitit 2023 është nënshkruar kontrata, në prill 2024 kanë filluar punimet dhe tani në prill të 2025 po bëhet inaugurimi i saj. Ai ka falënderuar të gjithë banorët për mikpritjen e ngrohtë, derisa ka uruar ata për këtë urë. Kurti po ashtu ka falënderuar edhe operatorin ekonomik që i ka përfunduar punimet brenda një viti.

“Urime të gjithëve kjo urë mbi lumin Drin, që e lidh zonën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren, e gëzofshi. Kjo urë e ka gjerësinë 10 metra, prej tyre 6 e gjysmë për automjete, e 3 metra për këmbësorë në të dyja anët. Në një farë mënyrë 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. Gjatësia e gjithëmbarshme është rreth 134 metra. Kjo urë kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve edhe për të gjithë ata që do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, ka theksuar Kurti pas përurimit të urës.

Ndërkaq, ministri në detyrë Liburn Aliu tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme se gjithë zona e Hasit, jo vetëm Rogova, është tashmë e lidhur me rrugën Gjakovë – Prizren.

“Kjo rrugë bashkë me urën kanë qenë në përgjegjësi të komunës, por si ministri e kemi marrë përgjegjësinë që ta bëjmë edhe projektimin e saj edhe ndërtimin dhe të gjitha u kryen në një kohë mjaft të shpejt. Natyrisht mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës se si do të jetë me dimensionet e saj, e besoj që edhe komuna do ta bëjë pjesën e vet të punës, ashtu siç kanë premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra, pra 125 metra, e ndërtuar me traje dhe kompania e ka bërë një punë profesionale dhe ne kemi qenë tërë kohën në përcjellje të këtyre punimeve”, ka theksuar Aliu.

Ai e ka vlerësuar këtë si një arritje të mirë dhe ka uruar që të ketë edhe ura tjera mbi lumin Drin, sepse siç tha Hasi po thuajse nyjën kryesore të kyçjes me pjesën tjetër të Kosovës e ka përmes kësaj ure.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here