Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori sot pjesë në përurimin e institucionit parashkollor “Fluturat” në Komunën e Suharekës, investim ky i Ministrisë së Arsimit, në vlerë prej 742,382.05 euro.
Në inaugurimin e kësaj çerdheje, kryeministri tha se është nder i veçantë të ishte me ta në këtë investim të rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për gjithë banorët e Suharekës.
“Ndërtimi i kësaj çerdheje përfaqëson një hap tjetër përpara në përkushtimin tonë për të ofruar arsimim cilësor dhe gjithëpërfshirës, që nuk e lë askënd mbrapa, nga vitet e para të jetës, atëherë kur zhvillimi është tejet i rëndësishëm”, u shpreh ai.
MAShTI gjithashtu ka mbuluar investimet rreth inventarizimit të objektit vlerë prej më se 60,000 euro. Çerdhja ofron një hapësirë moderne prej 1800 metra katrorë, të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe argëtuese, dhe ka kapacitet për të pritur 160 fëmijë.
Ky investim, sipas kryeministrit Kurti, është një dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Nga sot, siç veçoi ai më tej, ky objekt është më shumë se një ndërtesë; është vend i dijes, edukatës dhe mundësive për gjeneratat e ardhshme. Njëkohësisht, ai kërkoi angazhim nga të gjithë për ta bërë Kosovën një vend ku çdo fëmijë ka të drejtën dhe mundësinë për një fillim të mbarë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu para të pranishmëve se është obligim i yni të krijojmë kushtet për zhvillimin e duhur e maksimal të potencialit të fëmijëve, përveç dashurisë pakushte që i japim si prindër, si qytetarë, e si bartës të institucioneve.
“Edukimi në fëmijërinë e hershme është prioritet i Qeverisë sonë dhe jo rastësisht është edhe objektivi i parë në strategjinë tonë të arsimit”, shtoi ministrja Nagavci.
Pas përfundimit të ceremonisë, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci vizituan klasat, ku panë nga afër ambientin e këtij institucioni parashkollor “Fluturat”.