Nga lëndim i lehtë në lëndim të rëndë trupor është cilësuar rasti i përleshjes fizike që ndodhi të hënën në rrugën “Ali Ibra” në Prizren, ku u arrestuan dy persona. Ndaj të dyshuarve, të cilët përfunduan në ndalim policor, Prokuroria Themelore në Prizren ka ushtruar kërkesë për masën e sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.
Dardan Limani (31-vjeçar) dhe Inan Mahmuti (32-vjeçar), emra të njohur për organet e rendit rrezikojnë të përfundojnë në paraburgim.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti, e cila bëri të ditur se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është parashtruar për shkak të dyshimit se të dyshuarit kanë kryer veprën “Lëndim i rëndë trupor”.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarit I.M., dhe D.L., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).” –
Ndryshe, Sinjali dje raportoi se sipas informacioneve të para, dyshuarit u përfshinë në një përleshje që dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshje që lidhet me ngacmimin e fëmijëve të njërës palë nga pala tjetër që i futi më pas në sherr.
Sinjalizuesit kanë bërë me dije se i dyshuari Mahmuti e ka ndjekur me sëpatë të dyshuarin Limani dhe prindin e tij, por fatmirësisht situata nuk ka dalë edhe më tutje nga kontrolli./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.