Të premten, është shënuar përvjetori i 23-të i njërës nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në komunën e Prizrenit, asaj të Jeshkovës. Mëngjesin e 11 marsit të vitit 1999 makineria vrastare serbe ia kishte mësyrë Jeshkovës së Vërrinit, ku ndodheshin rreth 30 pjesëtarë të njësisë speciale të brigadës 125 të ZOP-it, të cilës i printe komandant, Hysen Rexhepi.
Në një luftë të pabarabartë karshi mijëra forcave serbe dhe makinerisë luftarake, atë ditë për të mos vdekur kurrë ranë 10 pjesëtarë të kësaj njësie dhe 11 dëshmorë të tjerë, të cilët iu bashkuan vëllezërve të tyre në këtë betejë. Emocione në këtë ditë ka pjesëmarrësi i betejës së Jeshkovës, Baki Latifi, i cili tha se ndjehet krenar që ishte bashkëluftëtar i dëshmorëve që ranë në altarin e lirisë në këtë betejë ndër më të lavdishmet të UÇK-së jo vetëm në rajonin e Prizrenit.
Familjari dëshmorit, Hajdar Shala, thotë se dëshmorët dhanë gjithçka nga vetja për lirinë e Kosovës, por pati kritika për institucionet. Në përkujtim të kësaj beteje, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës, qytetarë e drejtues të komunës së Prizrenit.
Nënkryetari i komunës, Kujtim Gashi dhe kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyçi, thanë se dëshmorët janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa UÇK-ja me luftën e saj të drejtë është krenaria e kombit tonë.
Sekretari i degës së OVL të UÇK-së, Isa Berisha, tha se sot është edhe një ditë krenarie por dhe e dhimbshme, pasi ende nuk dihet fati i 11 dëshmorëve të rënë në këtë betejë.
Në betejën e Jeshkovës së 11 Marsit të vitit 1999 ranë në fushën e nderit 21 dëshmorë, 10 nga të cilët prehen së bashku me taborrin e luftëtarëve të nderit në Landovicë, kurse 11 të tjerë kanë vetëm emër ,por jo edhe një varr ku mund të iu bëhen nderimet e ditëve përkujtimore./TvPz