Përdorimi i kufjeve që bllokojnë zhurmën e jashtme mund të jetë i rrezikshëm për të rinjtë

0
55

Ekspertët po paralajmërojnë se përdorimi i gjerë i kufjeve që e bllokojnë zhurmën e jashtme mund të jetë duke shkaktuar rritje të çrregullimeve neurologjike, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Sipas mjekëve, përdorimi i këtyre kufjeve ka sjellë rritje të rasteve me probleme të dëgjimit, që në të vërtetë janë të lidhura me trurin dhe jo me problemet fizike të veshit, ka raportuar The Telegraph.

Çfarë është çrregullimi i procesimit të audios (APD)?

Një prej problemeve në rritje është çrregullimi i procesimit të audios (APD), një gjendje ku truri ka vështirësi të kuptojë tingujt dhe fjalët, veçanërisht kur ato përzihen me zhurmën e ambientit. Ky çrregullim mund ta bëjë të vështirë për individët të angazhohen në biseda në situata sociale ose të kuptojnë qartë udhëzimet në punë ose shkollë. Ata mund të kenë vështirësi me ata që flasin shpejt ose kanë thekse të panjohura.

Historikisht, APD ka qenë e lidhur me dëmtimet e trurit që kanë ndodhur në fëmijëri, infeksione të veshit, ose me gjene të dëmtuara. Megjithatë, ekspertët po shohin rritje të numrit të të rinjve pa historik të këtyre kushteve që po përjetojnë APD, dhe disa nga ata po e lidhin këtë fenomen me përdorimin e tepërt të kufjeve që bllokojnë zhurmën e jashtme.

Pse kufjet që bllokojnë zhurmën mund të kenë lidhje me APD?

Renee Almeida, eksperte britnike, ka thënë se “përdorimi i kufjeve që bllokojnë zhurmën e jashtme mund të pengojnë trurin të mësojë natyrshëm diferencimin e zhurmave”. Sipas saj kufjet që bllokojnë zhurmën krijojnë një “botë të rreme”, ku individët janë të ekspozuar vetëm ndaj tingujve që ata dëshirojnë të dëgjojnë, duke e bërë më të vështirë për trurin të mësojë t’i përpunojë zhurmat e ambientit.

Shqetësimet për zhvillimin e trurit

Claire Benton, një tjetër eksperte në këtë fushë, ka theksuar se aftësitë më të avancuara të dëgjimit dhe përpunimit të zhurmës në trurin e një individi zakonisht zhvillohen plotësisht deri në fund të adoleshencës. “Nëse një person ka kaluar shumë kohë me kufje që bllokojnë zhurmën, mund të ketë vonesë në zhvillimin e këtyre aftësive”, ka thënë ajo.

Në disa raste, siç është rasti i Sophies, një asistente administrate 25-vjeçare nga Londra, që është diagnostikuar me APD pas përdorimit të kufjeve për pesë orë në ditë, përdorimi i kufjeve që bllokojnë zhurmën e jashtme mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e përpunimit të zhurmave.

Sophie ka përshkruar për BBC-në se edhe kur dëgjon tinguj, ajo nuk mund t’i lokalizojë saktë dhe shpesh fjalët i tingëllojnë si “të pakuptueshme”.

Lidhja me shikimin me titra

Një tjetër fenomen që ka ardhur si pasojë e ndryshimeve të sjelljes pas pandemisë është shikimi i videove dhe muzikës me titra. Një studim i YouGov ka treguar se më shumë se tre në pesë të rinj (18-24 vjeç) shikojnë programet e tyre të preferuara me titra.

Ekspertët po bëjnë më shumë hulumtime për të kuptuar nëse përdorimi i kufjeve që bllokojnë zhurmën e jashtme është faktor kryesor në rritjen e rasteve të APD dhe po paralajmërojnë që të rinjtë mund të duhet të mësojnë sërish të përpunojnë tingujt dhe zhurmat natyrale të jetës për të ruajtur aftësitë e tyre të dëgjimit./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here