Ukraina, e cila u sulmua nga Rusia këtë të enjte, ka qenë goxha e pranishme me produktet e saj në tregun e Kosovës.
Sipas statistikave që Klankosova.tv i ka siguruar nga Dogana e Kosovës, që nga viti 2019 e deri më sot, janë importuar mbi 83 milionë euro produkte nga ky vend.
Produktet e importuara janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga metalet e ndryshme që shërbejnë për ndërtimtari, por edhe tekstil e edhe produkte ushqimore si: pula të therura e të pastruara, arra, çokollata, grurë, misër, biskota, vaj ushqimor luledielli, sheqer e gjalpë.
Gjithashtu nga Ukraina janë importuar edhe: pasqyra, enë, gota, kavanoza, llamarina, ventilatorë, zile, llamba, mobile dhe lodra.
Tabelën e Doganës së Kosovës mund ta gjeniKËTU.
Konflikti ruso-ukrainas mund të shkaktojë efekte edhe përtej rajonit ku po ndodh, përfshirë Kosovën.
Njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadriaj tha për Klankosova.tv se mund të ketë rritje të vazhdueshme të çmimeve që do ta rëndojnë jetën e qytetarëve, kjo për shkak se vendi ynë është një vend importues.
Ai theksoi se ka rrezik të humbjes së mjeteve financiare të Trustit, që janë të investuara në tregjet ndërkombëtare.
Kadrijaj shton se lejimi i tërheqjes së një përqindjeje të Trustit do ta lehtësonte krizën.
“Tanimë lufta Rusi-Ukrainë nuk është më konflikt i izoluar dhe padyshim që pritet të ketë pasoja gjeopolitike dhe ekonomike”.
“Në rastin e Kosovës, ndikimi do të jetë evident sepse, si një vend importues, mund të ndodhë që të ketë rritje të vazhdueshme të çmimeve që do ta rëndojnë jetën e qytetarëve”.
“Po ashtu edhe te mjetet e Trustit që janë të investuara jashtë. Në rast të krizave, aksionet në tregjet financiare mund të kenë rënie dhe ato mjete të humbin”.
“Kështu që Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë dhe të lejojë tërheqjen e një përqindjeje të caktuar të mjeteve. Kjo do ta rriste fuqinë blerëse dhe rritet likuiditeti financiar”.
Mustafë Kadrijaj, ndër të tjera, thotë se gjatë krizave gjasat për rritje ekonomike janë të vogla.
“ Gjasat për rritje ekonomike janë shumë të vogla sepse investitorët hezitojnë në rast të krizave, po ashtu Kosova cilësohet si vend jo i sigurt, ku dihet që ne ende kemi konflikt të hapur me Serbinë”.