Për herë të parë një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, i drejtohet sot Parlamentit Evropian

0
212

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do t’i adresohet Parlamentit Evropian, dhe se me këtë adresim, siç ka thënë ajo do ta përçoj mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.

Sipas njoftimit të presidencës, kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian

Me këtë rast presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës. Për këtë adresim, ka shkruar edhe vetë presidentja Osmani.

“Nesër, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i adresohem Parlamentit Evropian. Në vitin 1998, Presidenti Rugova, si fitues i çmimit Sakharov, iu adresua po këtij institucioni, për të kërkuar mbështetjen e popujve evropianë për lirinë e Kosovës. 25 vite pas, para po të njëjtit institucion, do ta përçoj mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë si dhe për rrugëtimin tonë evropian”, ka shkruar e para e vendit, Vjosa Osmani./rtk/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here