Manchester City është duke kaluar një sezon të vështirë në Premierligë, me objektiv të qartë për të përfunduar në Top 4 dhe për të shpëtuar sezonin me një trofe të vetëm – FA Cup, ku në finale do të përballet me Crystal Palacen më 17 maj, shkruan 04 Online.
Në këtë situatë të ngarkuar, trajneri Pep Guardiola ka marrë një lajm të mirë, rikthimi i mundshëm i mesfushorit të rëndësishëm, Rodri. Spanjolli ka munguar për një kohë të gjatë për shkak të një lëndimi serioz, por tashmë ka nisur të stërvitet.
“Jemi vërtet të lumtur që Haaland është rikthyer dhe që Rodri ka rinisur të stërvitet. Sapo mjeku të më thotë se Rodri mund të nisë të luajë, do të luajë, por fillimisht këtë duhet të ma thonë mjekët. Ishte një lëndim i vështirë. Rodri ushtron çdo ditë e më shumë, por duhet të presim që të mos ë bëjë një hap prapa dhe të lëndohet përsëri, kështu që duhet të jemi të qetë e të durueshëm. Në çdo stërvitje ndihet mirë e më mirë, kështu që, kur mjeku të thotë se Rodri është stabil dhe se mund të nisë të luajë, atëherë do të kthehet”, tha Guardiola, duke shtuar se ende nuk dihet nëse Rodri do të rikthehet këtë sezon.
Rikthimi i Rodrit mund të jetë vendimtar për “Citizens” në ndeshjet e mbetura të sezonit./04 Online