E, në Prizren nuk janë shënuar aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës. Aktivistë të Organizatës për Persona me Distrofi Muskulare thanë se nuk e shënuan këtë ditë, shkaku i pengesave aktuale për lëvizjen e lirë në trotuaret e këtij qyteti.
Për herë të parë, aktivistët e Organizatës për Persona me Distrofi Muskulore nuk e kanë shënuar me ndonjë aktivitet 1 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës. Sipas tyre, aktivitete nuk janë realizuar shkaku i pengesave në lëvizjen e lirë për përdoruesit e karrocës, e që janë krijuar edhe si rezultat i punimeve të fundit në trotuaret e rrugës unazore.
“Ne për herë të parë nuk e shënojmë së paku me një aktivitet modest, sepse nuk duam ta marrim përgjegjësinë për personat me aftësi të kufizuara që përdorin karrocë, pasi qasshmëria në Prizren u bë shumë e vështirë”, ka thënë Resmije Rrahmani, përdoruese e karrocës.
“Aktivitet nuk ka sepse qasja e duhur nuk ekziston në Prizren, çdo ditë më shumë e më shumë pengesa po bëhen. Edhe ato që i kemi eliminuar në një kohë, tash prapë janë lind të reja”, ka thënë Antigona Shestan nga OPDMK.
Ditë më parë aktivistë të shoqërisë civile reaguan për mungesën e nivelizimit të duhur të trotuareve në ndërtim, edhe për qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Ky shqetësim është adresuar edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Prizrenit nga këshilltarja Dafina Alishani.
“Ju lus ta keni parasysh këtë pasi që po bëhet një punim në terren, mos të bëhen punët shkel e shko, por ta kemi seriozisht këtë sensitivitet ndaj këtij komuniteti dhe ta bëjmë të duhurën sepse e kemi obligim fundja”, ka thënë Dafina Alishani, asamblistë e VV-së.
Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike, ka thënë se punimet në trotuare janë në zhvillim e sipër dhe se ende nuk është bërë pranimi teknik i projektit.
“Dijeni që në momentin që të bëhet pranimi teknik, ju premtoj që para se të bëhet pranimi teknik, kanë për t’u marrë edhe shoqata që përkujdeset për PAK-të edhe ekspertët e tjerë dhe do të verifikohet çdo detal”, ka thënë Çelë Lamaj, drejtor i DSHP-së.
Qeveria komunale e Prizrenit, në urimin për Ditën Botërore të Përdoruesve të Karrocës, ka theksuar se bazohet në parimin e gjithëpërfshirjes dhe se do të angazhohet për krijimin e kushteve të barabarta.