Juventusi duket se po rikthen vëmendjen tek Granit Xhaka, vetëm katër muaj pasi e kishte përjashtuar mundësinë e transferimit të tij.
Mediat italiane raportojnë se te bardhezinjtë po pranojnë gabimet e bëra në merkaton verore, ku profili i Xhakës u la mënjanë për arsye që sot duken të pakuptimta.
Në atë kohë, mesfushori shqiptar u konsiderua i papërshtatshëm nga “algoritmi” i drejtorit Comolli: nga njëra anë për shkak të moshës, pasi këtë vit arrin 34 vjeç, dhe nga ana tjetër për kërkesën prej 15 milionë eurove nga Bayer Leverkusen, që iu duk e lartë klubit torinez. Por zhvillimet në fushë e kanë detyruar Juventusin të ndryshojë mendim.
Ndërkohë, Granit Xhaka po shkëlqen në Premier League me Sunderlandin, ku ka regjistruar 1 gol dhe 3 asiste, duke e çuar skuadrën në vendin e katërt, vetëm tre pikë larg zonës së dytë, shkruan GazetaExpress.
Kjo paraqitje mbresëlënëse ka bërë që menaxhmenti i tij të rifillojë kontaktet me klubet e mëdha evropiane – përfshirë edhe Juventusin.
Sipas mediave italiane, bardhezinjtë po e shqyrtojnë seriozisht rikthimin në bisedime, duke parë se pikërisht lojtari që u nënvlerësua në verë, sot është profili që ekipi e ka më shumë nevojë.














































