Pelosi, me vizitën “tepër të rrezikshme”, s’e bën hesap Kinën

0
383

Pekini akuzoi Pelosin, politikania më e lartë amerikane, në 25 vjet, që vizitoi ishullin, që Kina e pretendon si të sajin, se po “luan me zjarrin”. “Ata, që luajnë me zjarrin do të shuhen prej tij”, paralajmëroi Pekini në një deklaratë. Pelosi tha se vizita e saj “nderon angazhimin e palëkundur të Amerikës për ta mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit” dhe nuk bie në kundërshtim me politikën e SHBA-së

Kina e ka cilësuar si “jashtëzakonisht të rrezikshme” vizitën historike në Tajvan, nga kryeparlamentarja amerikane, Nancy Pelosi.

Pekini akuzoi Pelosin, politikania më e lartë amerikane në 25 vjet, që vizitoi ishullin, që Kina e pretendon si të sajin, se po “luan me zjarrin”.

“Ata, që luajnë me zjarrin do të shuhen prej tij”, paralajmëroi Pekini, në një deklaratë.

Pelosi tha se vizita e saj “nderon angazhimin e palëkundur, të Amerikës, për ta mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit” dhe nuk bie në kundërshtim me politikën e SHBA-së.

Kërcënimi kinez

Ndërsa avioni i saj ateroi, media shtetërore kineze raportoi se avionët e saj ushtarakë po kalonin ngushticën e Tajvanit. Tajvani i mohoi menjëherë raportet – por më vonë tha se më shumë se 20 avionë ushtarakë kinezë, kishin hyrë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, të martën.

Kina, e cila e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, që një ditë do të ribashkohet me të – ka paralajmëruar më parë se forcat e saj të armatosura “nuk do të qëndrojnë duarkryq”.

Rreth një orë pas mbërritjes së avionit të Pelosit, Pekini njoftoi se Ushtria Çlirimtare Popullore do t’i kryejë një seri stërvitjesh ushtarake me zjarr të vërtetë në ajër dhe në det rreth Tajvanit, më vonë këtë javë – duke paralajmëruar anijet dhe avionët, që të mos hyjnë në zonat e prekura.

Kjo pason ditë të përshkallëzimit të tensioneve përpara vizitës, në të cilën avionët luftarakë kinezë kishin dalë tashmë deri në vijën mesatare, vijën ndarëse jozyrtare, që ndan Kinën dhe Tajvanin në ujërat mes tyre.

Në deklaratën e saj, Pelosi tha: “solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm sot se kurrë, pasi bota përballet me një zgjedhje midis autokracisë dhe demokracisë”.

Image
“Shtetet e Bashkuara nuk do të tremben nga kërcënimet”, deklaroi Shtëpia e Bardhë pas kërcënimeve ushtarake të Kinës komuniste

Demokracia po kërcënohet

Dhe në një artikull të botuar në gazetën “Washington Post” në të njëjtën kohë, Pelosi shkroi gjithashtu se “demokracia e fortë e Tajvanit… është nën kërcënim”.

“Përballë agresionit të përshpejtuar të Partisë Komuniste Kineze (PKK), vizita e delegacionit tonë të Kongresit duhet të shihet si një deklaratë e qartë se Amerika qëndron me Tajvanin, partnerin tonë demokratik, teksa mbron veten dhe lirinë e saj”, tha ajo.

Megjithatë, ndërsa vizita e Pelosit kishte qenë objekt i spekulimeve të shumta ndërkombëtare për ditë të tëra, ajo ishte fshehur deri në minutën e fundit.

Kur ajo u nis për një turne në Azi, të dielën, nuk përmendej Tajvani në itinerarin e saj zyrtar, i cili përfshinte Singaporin, Malajzinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar haptas planin e saj dhe presidenti Joe Biden tha se ushtria e vlerësoi atë si “një ide jo të mirë”.

Por pasi Pelosi zbarkoi, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha për CNN-në se kjo vizitë ishte e ngjashme me udhëtimet e mëparshme të zyrtarëve të tjerë.

“Nuk ka asnjë arsye, që kjo të shpërthejë në konflikt. Nuk ka asnjë ndryshim në politikën tonë. Kjo është absolutisht në përputhje me të”, theksoi ai.

Duke iu drejtuar reagimit të fortë nga Kina, ai tha: “Shtetet e Bashkuara nuk do të tremben nga kërcënimet”.

Presion ndërkombëtar

Kina ushtron presion ndërkombëtar mbi shtet e tjera për ta pranuar parimin e saj “një Kinë” – se ka vetëm një komb kinez, me bazë në Pekin. Vetëm 15 vende në botë kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin.

Politika e gjatë e SHBA-së ka qenë njohja e qeverisë së Pekinit, por edhe ruajtja e marrëdhënieve “të forta jozyrtare” me Tajvanin. Kjo përfshin shitjen e armëve për Tajvanin për t’u mbrojtur.

Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, demokratja Pelosi është e dyta në radhë për nga hierarkia pas presidentit dhe zëvendëspresidentit. Megjithatë, ajo është gjithashtu një kritike e gjatë e Pekinit.

Si kongresiste në vitin 1991, dy vjet pasi qeveria kineze shtypi ashpër protestuesit në Sheshin Tiananmen, ajo vizitoi vendin e demonstratave dhe shpalosi një pankartë në kujtim të atyre, që vdiqën – duke shkaktuar kundërpërgjigje të zemëruar të Qeverisë kineze.

Pelosi pritet të qëndrojë gjatë natës, kanë raportuar mediat tajvaneze, dhe të takohet me anëtarët e parlamentit të mërkurën, si dhe presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-Wen.

Fluturimi “i blinduar” i Pelosit

Udhëtimi i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nga Kuala Lumpuri drejt Taipeit, është bërë fluturimi më i ndjekur në historinë e “Flightradar24”.

Sipas “Flightradar24”, e cila gjurmon fluturimet në kohë reale, mbi 708 mijë njerëz rreth botës po ndiqnin fluturimin e Pelosit me “SPAR19” në Tajvan në kohë reale.

Pelosi u nis nga Malajzia. Teksa ishte në Indonezi, fluturimi i saj po ndiqej nga mbi 200 mijë njerëz, por shifra u rrit kur ajo përgatitej të ateronte në Tajvan.

Vizita e kryedemokrates amerikane në Tajvan ka qenë arsye e rritjes së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ditëve të fundit.

Kina ka këmbëngulur që Pelosi nuk duhet ta vizitojë Tajvanin pasi do të kishte “ndikim skandaloz në politikë”, ndërsa SHBA-ja ka thënë se Kina nuk duhet ta përshkallëzojë situatën.

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur, por i pretenduar nga Kina, e cila e sheh atë si një provincë të shkëputur. Pekini ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Pelosi e viziton atë.

Ndërsa SHBA-ja e ruan atë që e quan një “marrëdhënie të fortë jozyrtare” me Tajvanin, ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kinën dhe jo me Tajvanin. Mirëpo, për SHBA-në, Tajvani është nga aleatët kryesor në Azi./BBC

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here