PE do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten, bëhet thirrje për sanksionimin e Serbisë

0
173

Parlamenti Europian do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten në procedurë të përshpejtuar.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Parlamentit Europian, Snjezana Kobescak, e cila tha se grupet politike do t’i kenë gati amendamentet për votim të mërkurën pasdite.

“Votimi do të bëhet të enjten në orën 12.00. Propozimi i përbashkët i rezolutës që vjen nga të gjitha grupet politike, si dhe amendamentet për votim do të jenë të qasshme nga e mërkura pasdite. Për momentin, grupet politike kanë përgatitur propozimet e tyre të veçanta”, tha ajo për Express.

Deri më tani amendamentin për këtë rezolutë e ka publikuar grupi Renew Europe, i cili është një grup politik liberal, proeuropian në PE.

Ky grup politik ka përmendur ngjarjet që i paraprinë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Në njërën prej pikave, Renew thotë se “sulmi paraushtarak i koordinuar dhe i sofistikuar ndodhi në Banjska, në veri të Kosovës, ku u përfshinë dhjetëra paraushtarakë serbë të cilët i zunë pritë njësive të Policisë së Kosovës, duke çuar në vdekjen e një zyrtari policor të Kosovës dhe duke shkaktuar lëndime tek dy të tjerët; ndërsa grupi i armatosur më pas kërkoi strehim brenda Manastirit të Banjskës, duke rrezikuar pelegrinët dhe duke kërkuar ndërhyrjen e forcave speciale të Kosovës, që rezultoi në vdekjen e tre personave të armatosur dhe arrestimin e disa individëve”.

Po ashtu, Renew thotë se ky ishte një operacion i rëndësishëm dhe i koordinuar pas fakteve të prezantuara nga autoritetet e Kosovës derisa shumica e armëve të sekuestruara ishin prodhuar në Serbi dhe disa kishin kaluar nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe.

Grupi liberal proeuropian thotë se Milan Radoiçiq ishte ndërmjetësi kryesor i pushtetit në veri të Kosovës, aleat i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçi dhe duke qenë deri vonë nënkryetari i Listës Serbe, ka pranuar se ka organizuar dhe marrë pjesë në sulm.

Lirimi i Radoiçiqit dhe shpallja e zisë për tre terroristët e vrarë gjatë përleshjes me Policinë e Kosovës, si dhe vendosja e trupave shtesë në kufirin me Kosovën për Renew këto incidente kanë përkeqësuar jostabilitetin rajonal dhe kanë dëmtuar dialogun Serbi-Kosovë.

Mbi këto prova, Renew në amendamentet e publikuara i ka bërë thirrje Unionit që të përgatisë sanksione që shënjestrojnë ata që qëndrojnë prapa sulmit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku.

“I bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj që të intensifikojnë punën e tyre me institucionet e Kosovës, Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe KFOR-in, për të hedhur dritë mbi të gjitha detajet rreth këtij sulmi dhe për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin, financimin dhe zbatimin e tij; u bën thirrje autoriteteve serbe që të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin në vazhdim; i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare të përgatisin sanksione të synuara kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjska, bazuar në gjetjet e hetimit”.

“Dënon ashpër sulmin e ndodhur më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë dhe shpreh solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre; Dënon trajtimin e këtij incidenti të rëndë të sigurisë nga autoritetet serbe, duke përfshirë vendosjen e trupave pranë kufirit me Kosovën, përpjekjet e tyre për destabilizimin e Kosovës, hezitimin e tyre për të bashkëpunuar në hetim, qëndrimin e tyre të butë ndaj organizatorëve dhe autorët e sulmit dhe retorika e përdorur nga liderët serbë gjatë kësaj krize; u bën thirrje autoriteteve serbe që të tërheqin plotësisht trupat dhe armët e tyre të rënda nga kufiri me Kosovën, në përputhje me marrëveshjet e kaluara; I bën thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të kryejnë vlerësime të rregullta të përbashkëta të sigurisë në veri të Kosovës për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për t’u fokusuar më shumë në rolin e rëndësishëm që luan krimi i organizuar në zhvillimet në atë rajon; mirëpret përforcimin e fundit të KFOR-it dhe u kërkon vendeve anëtare të NATO-s që të konsiderojnë forcimin e mëtejshëm të forcës paqeruajtëse; i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare që të rrisin edhe më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj si reagues i sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në amendament.

Si procedurë e radhës tani pritet që secili grup politik të paraqesë draftin e vet për rezolutë. Pas kësaj, do të caktohet një udhëheqës i cili do të koordinojë në arritjen e një kompromisi për amendamentet e rezolutës. Kur grupet të arrihet pajtimin për tekstin e përbashkët të rezolutës, atëherë do të hidhet në votim në seancën plenare të PE-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here