PDK: Refuzimi i mbrojtjes në liri për krerët e UÇK-së në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut

0
91

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e thellë të partisë së tij ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një konferencë për media, Gruda ka vlerësuar se ky vendim bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Mbajtja e tyre, së bashku me ish-Presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme”, theksoi ai.

Gruda rikujtoi se PDK-ja ka mbështetur që nga fillimi themelimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale, me bindjen se aty do të sigurohej një proces i drejtë gjyqësor dhe i zhvilluar brenda një afati të arsyeshëm – si themel i lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Ai shtoi se PDK-ja nuk e sheh këtë gjykatë thjesht si një institucion drejtësie, por si një mekanizëm që duhet të përfaqësojë vlerat evropiane dhe jo të shndërrohet në mjet përndjekjeje ndaj liderëve të luftës për liri.

“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë aty thjesht si qytetarë të akuzuar, por si liderë të luftës për liri, arkitektë të pavarësisë dhe ndërtues të institucioneve demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë një gjykim të drejtë, të bazuar në standardet e vendeve demokratike, nga të cilat vijnë edhe gjyqtarët e kësaj gjykate. Prandaj, ne kërkojmë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kërkojmë që humanizmi të mos zhduket përballë paragjykimeve, dhe që ligji të mos shtypet në emër të drejtësisë. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Dhomave të Specializuara, faktorit ndërkombëtar dhe atyre që financojnë gjykatën të veprojnë me përgjegjësi dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut”, tha Gruda.

Në fund, deputeti i PDK-së i ka bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës që të përfshihen më aktivisht në këtë proces, duke ofruar garanci dhe duke marrë përgjegjësi për të akuzuarit.

“Jemi të bindur se procesi në Hagë dhe epilogu i tij nuk janë çështje individuale, por çështje me rëndësi themelore për historinë dhe të ardhmen e shtetit tonë. Mosangazhimi i institucioneve tona nuk është thjesht një neglizhencë, por një heqje dorë nga përgjegjësia historike”, u shpreh ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here