Zgjedhjet për një vend në Kuvendin e Kosovës të cilat pritet të mbahen më 9 shkurt kanë zgjuar vëmendjen e subjekteve politike.
Përzgjedhja e kandidatëve duket të jetë testi i parë i subjekteve politike, pasi ato janë duke bërë përpjekje për të zgjedhur më të mirët dhe ata që kanë mbështetje në publik, shkruan 04 Online.
Ditë më parë LDK-ja në Prizren ka bërë publike emrat e të nominuarve për një vend në Kuvendin e Kosovës, teksa 04 Online nga burimet e veta brenda PDK-së ka mësuar emrat e të propozuarve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryesuesja e Asamblesë Antigona Berisha – Bytyqi është propozuar për kandidate, poashtu edhe ish deputeti Nait Hasani, ish deputeti dhe ish ministri e aktualisht nënkryetari i Prizrenit Kujtim Gashi. Poashtu, 04 Online ka mësuar se janë propozuar për kandidat për deputet edhe Faruk Bojaxhiu, Fetah Paqarizi, Betim Ramadani, Xhemshit Krasniqi dhe asambleistja nga Hasi, Drita Qenaj.
Kujtojmë se në këtë legjislaturë, të cilës i kanë mbetur edhe dy muaj, asnjë kandidat për deputet nga dega e PDK-së në Prizren nuk patën arritur ta sigurojnë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, teksa janë duke bërë përpjekje të mëdha që në zgjedhjet e 9 shkurtit të dalin me rezultate pozitive.
Propozimet e kandidatëve për deputet nga Prizreni pritet të konfirmohen zyrtarisht nga PDK-ja në qendër përmes procedurave në parti.
Në këto propozime mungon emri i kryetarit të Prizrenit dhe njëherit nënkryetarit të PDK-së në nivel vendi, Shaqir Totaj, dhe disa drejtorëve komunal të cilët në vazhdimësi e kanë proklamuar veten si të suksesshëm në pozitat e tyre./04 Online