PDK-ja do ta çojë në Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publikë

0
267

Partia Demokratike e Kosovës do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publikë i cili u miratua të enjten në Kuvend dhe pret rrëzimin “e padiskutueshëm” të tij.

Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ka thënë se përmes këtij ligji misioni i ri i Qeverisë është “largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre”.

Kjo shkel të drejtat e njeriut dhe dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka thënë ai.

“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij. Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka shtuar se përveç shkeljeve të normave vendore, ligji bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

“Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar Krasniqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here