PDK i çon në Gjykatën Kushtetuese të gjitha 20 ligjet e miratuara nga Kuvendi të enjten

0
77

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se të 20 ligjet e miratuara nga mazhoranca të enjten e kaluar, do t’i çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, shumica parlamentare veproi në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Regullores së Kuvendit me miratimin e këtyre ligjeve, ku sipas tij, përveçse u karakterizuan me abuzimin dhe shkeljen e procedurës parlamentare, cenuan edhe rolin, mandatin dhe funksionin e deputetëve si përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

Ai shtoi se partia e tij është e bindur që procedura e shqyrtimit dhe miratimit të këtyre ligjeve është kundër-kushtetuese.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të enjten e javës që shkoi, shumica parlamentare duke vepruar në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Regullores së Kuvendit, miratoi njëzetë (20) ligje të cilat, përveçse u karakterizuan me abuzimin dhe shkeljen e procedurës parlamentare, cenuan edhe rolin, mandatin dhe funksionin e deputetëve si përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

Duke e vlerësuar të patolerueshme një sjellje të tillë të shumicës parlamentare e cila brenda ditës improvizoi disa seanca në të cilat u dhunua instituti i shqyrtimit parlamentar të ligjeve (siç e përcakton Kushtetuta), kemi vendosur që njëzetë ligjet e miratuara në seancat e datës 05 dhjetor 2024 t’i kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Një vendim i tillë, për të ngritur para kësaj gjykate kërkesat për vlerësimin e kushtetushmërisë së këtyre ligjeve, para së gjithash, paraqet vazhdimësi të punës dhe angazhimit konsistent të PDK-së në mbroje të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike mbi të cilat është ngritur dhe qëndron Republika jonë.

Ne jemi të bindur që procedura e shqyrtimit dhe miratimit të këtyre ligjeve është kundër-kushtetuese dhe jemi duke punuar që të gjitha parashtrimet tona para Gjykatës Kushtetuese, si gjithnjë, të konfirmohen të bazuara, të drejta dhe mbi të gjitha profesionale.

Si deputetë, asnjëherë nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë shkeljes dhe cenimit të rendit tonë kushtetues! 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here