Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës ka marrë përmasa të reja, pasi dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesa të reja, duke kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të seancave të fundit konstituive.
Të enjten, PDK konfirmoi se ka dorëzuar në Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra në tri seancat e fundit të Kuvendit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025, pra të seancave të mbajtura pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kontestimi:
Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
Hedhjen në votim të këtij Komisioni;
Vetë votimin e Komisionit;
Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
PDK, që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare, ka kërkuar nga Kushtetuesja që ta shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, po ashtu edhe vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë këtë seancë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur.
Në të njëjtën linjë ka vepruar edhe LDK, e cila të premten dorëzoi një kërkesë të veçantë në Kushtetuese, përmes së cilës kundërshton vazhdimin e seancës konstituive pas aktgjykimit të kësaj gjykate.
“Në vlerësimin tonë ky vendim, është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Konstituimi i organeve të Kuvendit është përgjegjësi e grupit më të madh parlamentar, i cili duhet të veprojë me përgjegjësi, në bashkëpunim me subjektet e tjera politike, dhe në përputhje me rendin kushtetues dhe procedurat parlamentare.
Ngërçi institucional nuk zgjidhet me veprime të njëanshme, por me dialog, respekt për Kushtetutën dhe konsensus politik”, tha zyrtari i kësaj partie, Shkëmb Manaj.
Theksojmë se javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese doli me vendim pas kërkesës së opozitës për sqarim lidhur me votimin e fshehtë, ku ndër të tjera, subjektet politike janë obliguar që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, ndonëse nuk është sqaruar se çka ndodh pas këtij afati nëse sërish nuk arrihet pajtueshmëri.
As në seancën e së enjtes nuk pati ndonjë përparim, pasi Lëvizja Vetëvendosje për të tretën herë me radhë refuzoi zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.