Pavarësisht dimrit më të butë e importeve më të pakta, KEDS-i kërkon shtrenjtim të rrymës

0
267

Zëdhënësja e KEDS-it, Margarita Rashiti, ka thënë se pavarësisht dimrit të butë të cilin po e kalon Kosova dhe importimit më të pakët të rrymës sesa vitin e kaluar, KEDS-i ka kërkuar sërish rishqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave për shkak se “janë plotësuar kushtet paraligjore”.

Rashiti ka thënë se e kanë menaxhuar mirë pjesën e furnizimit me energji gjatë kësaj kohe, që ishte paralajmëruar, veçanërisht nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se do të ishte periudhe shumë e vështirë.

“Pavarësisht krizës, e kemi menaxhuar mirë pjesën e furnizimit me energji. Pavarësisht kohës së mirë sivjet, konsumi i energjisë elektrike ka shkuar shumë lart. Në muajin janar, konsumi ka shkuar diku rreth 668 mijë megavat në orë – piku maksimal ka arritur në 1.200 megavatë. Kjo është e lartë, duke marrë parasysh sa prodhon prodhuesi vendor. Çka e kalon prodhuesin vendor, duhet të importohet”, ka thënë ajo në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën.

Rashiti ka thënë se në muajin janar të këtij viti janë importuar 12 milionë euro rrymë, ndërsa në dhjetor 16 milionë euro – dhe krahasuar me vitin e kaluar, siç ka thënë ajo, janë importuar më pak.

“Kemi importuar pak më shumë vitin e kaluar pasi kanë qenë temperaturat më të ulëta”, ka thënë ajo.

Për vendosjen e tarifave të reja, Rashiti ka thënë se tani është në dorën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të vendosë nëse do të rriten apo jo.

“Nëse po flasim për shqyrtim të jashtëzakonshëm, janë plotësuar kushtet paraligjore që të bëhet ky aplikim dhe ne kemi aplikuar”, ka thënë Rashiti.

Për kalimin e krizës energjetike gjatë këtij dimri pa telashe të mëdha siç ishte paralajmëruar, Rashiti ia ka lënë meritat më së shumti faktorit kohë.

“Fatmirësisht, koha ka qenë shumë e mirë. Faktori kohë ndikon jashtëzakonisht shumë në energjinë elektrike. Situata është e paparashikueshme. Nuk mund të them a e kemi kaluar tërësisht, por deri tani është mirë”, ka thënë ajo.

Në dhjetor, KEDS-i dhe KESCO-ja patën kërkuar shqyrtim të tarifave për shkak “të rritjes së çmimit të energjisë në bursa ndërkombëtare”. Shkurtin e vitit të shkuar, ZRRE-ja pati marrë vendim që çmimi i energjisë të rritet për ata që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj. Qeveria pati subvencionuar një pjesë të faturave të qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here