Mes pasigurive për të ardhmen e Pep Guardiola te Manchester City, trajneri i Girona, Michel Sanchez, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e skuadrës në “Etihad”. Michel është lidhur edhe më herët me këtë post për shkak të punës së tij të shkëlqyer me klubin katalanas.
Guardiola është drejt përfundimit të sezonit të tij të 10-të te City, por ka pasur shumë zëra se ky mund të jetë i fundit. Edhe pse i ka mbetur edhe një vit kontratë, ai mund të vendosë të largohet nga Anglia që këtë vit.
Pas eliminimit nga Real Madrid në Ligën e Kampionëve të martën, Guardiola deklaroi se ka ende energji për të vazhduar edhe sezonin e ardhshëm. Megjithatë, pritet që ai të reflektojë për të ardhmen e tij javën e ardhshme, pas finales së Kupës së Ligës kundër Arsenal.
Ndërkohë, spekulimet për pasardhësin e mundshëm kanë nisur tashmë, me ish-asistentin dhe ish-trajnerin e Chelsea, Enzo Maresca, që raportohet se ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e klubit. I pyetur nëse ndihet gati për një sfidë të tillë, Michel u shpreh: “E shoh veten gati, jam gati të drejtoj çdo ekip. Nuk e di nëse ata mendojnë njësoj, por kam aftësinë të përshtatem dhe dua ta përjetoj këtë.”
Gjatë sezonit kur Michel e dërgoi Gironën në vendin e tretë dhe në Ligën e Kampionëve, ai u konsiderua si një alternativë e mundshme për Guardiolën. Girona është pjesë e City Group, çka e bën profilin e tij edhe më të njohur për drejtuesit e Manchester Cityt. Megjithatë, këto zëra janë zbehur gjatë 18 muajve të fundit, periudhë që përkoi edhe me largimin e ish-drejtorit sportiv Txiki Begiristain. Ndërkohë, edhe Villarreal po përballet me paqartësi në pankinë, dhe Michel është përmendur si një kandidat i mundshëm edhe për këtë skuadër.













































