Pas udhëtimit disamujorë me kuaj, tre pelegrinët spanjollë mbërrijnë në Mekë

0
105

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe historik është realizuar nga tre pelegrinë myslimanë nga Spanja, të cilët me kalë përshkuan mijëra kilometra në borë, shi dhe male për të arritur në vendin më të shenjtë për myslimanët – në Qabe.

Abdelkader Harkassi Aidi, Tarek Rodriguez dhe Abdallah Rafael Hernandez Mancha e nisën udhëtimin në tetor nga jugu i Spanjës dhe gjatë muajve që pasuan kaluan përmes Francës, Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Serbisë, Bullgarisë, Turqisë, Sirisë dhe Jordanisë, derisa më në fund mbërritën në Arabinë Saudite në maj.

Ishte një moment emocional kur të tre arritën përpara Qabesë – një udhëtim që ata thonë se nuk është ndjekur më në këtë formë që nga viti 1491.

“Kemi kaluar shumë kilometra për të qenë këtu dhe Zoti iu përgjigj lutjes sonë,” i ka thënë Harkassi agjencisë Associated Press.

“Ishim përballë Qabesë dhe patëm mundësinë ta preknim. Kështu që ato 8,000 kilometra nuk ishin asgjë.”

Pelegrinët përshkruan peizazhe mbresëlënëse natyrore dhe monumente historike gjatë udhëtimit, por hasën edhe shumë sfida. Një nga momentet më të rënda ndodhi në Bosnje, ku kuajt e tyre humbën dhe u gjetën në një zonë të rrezikshme me mina. Për fat të mirë, ata dolën të padëmtuar.

Përkundër vështirësive fizike dhe emocionale, pelegrinët thonë se përvoja më e çmuar e këtij udhëtimi ishte mikpritja dhe ndihma nga njerëzit e panjohur.

“Kur nuk kishim asgjë, njerëzit na ndihmuan me kuajt, me ushqim, na dhanë para. Njerëzit kanë qenë të mrekullueshëm. Mendoj se është provë që myslimanët janë të bashkuar,” ka theksuar Harkassi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here