Valdete Zurnaxhiu dhe Xhevat Ramadani, sot u përshëndetën me kolegët e Gjykatës Themelore në Prizren dhe përfunduan ditën e tyre të fundit të punës në këtë institucion.
U.D., së Kryetarit të Gjykatës, Artan Sejrani, i ka uruar ditëlindjen dhe pensionimin, duke e falënderuar Valen dhe Xhevatin, për kontributin e tyre kushtuar Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjithashtu edhe gjyqtarët dhe i gjithë stafi administrativ i kanë falënderuar të njëjtit për kontributin dhe angazhimin e tyre për Gjykatën, duke i ‘u uruar pensionim të mbarë, shëndet dhe gjitha të mirat në jetë.
Një jetë angazhim dhe papushim, katër dekada punë profesionale kushtuar Gjykatës në Prizren, Valdete Zurnaxhiu është zyrtarja më e vjetër e Gjykatës me 42 vite përvojë pune. Ajo që nga viti1975 kur ka filluar angazhimin e saj deri sot ka ushtruar detyrën e Sekretares Juridike.
Sekretaret juridike kanë një rol të rëndësishëm duke i asistuar gjyqtarëve në punën e përditshme lidhur me menaxhimin e lëndëve të zyrës që nga pranimi i lëndës deri në dorëzimin përfundimtar.
Përkushtimi për punën, bashkëpunimi korrekt me kolegët, janë vlera që e kanë përkufizuar një punëtore si Valja, respekti i saj i veçantë për kolegët dhe vullneti i saj do ti mungojnë Gjykatës.
Xhevat Ramadani, në ditën e ditëlindjes, pensionohet pas 21 vitesh angazhim në Gjykatën Themelore në Prizren, i njëjti që nga viti 2001 ka qenë me detyrë të dorëzuesit.
Detyra e dorëzuesit është jashtëzakonisht sfiduese, kërkon angazhim dhe vullnet të madh, dhe ka barrën e përgjegjësisë të madhe.
Dorëzuesit përballen çdo ditë me sfida të mëdha, puna në terren në kohë dimri e vere ku dhjetëra kilometra kalohen në këmbë e herë tjera edhe me biçikletë, sfidat në ballafaqimin me palë, ndërrimi i shpesh i adresave, krijon vështirësi dhe sfida të cilat dorëzuesit duhet të i ‘u përshtaten, në mënyrë që të kryejnë detyrën e tyre me sukses.
Gjyqtarët, gjithë stafi administrativ dhe mbështetës, i falënderojnë Valdeten dhe Xhevatin për përkushtim në Gjykatën Themelore në Prizren, dhe për të gjithë Valdetja dhe Xhevati do të jetë gjithmonë shembull për tu marrë për angazhimin dhe përkushtimin ndaj punës.