Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodh edhe natën e 11 shtatorit, në rrugën “Pal Paluca” në Prizren.
Siç mëson Gazeta Sinjali, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe atë natë ka gjetur tri gëzhoja të armës, ndërsa në shikimin e vendit në ditën tjetër kanë gjetur edhe tetë gëzhoja të tjera.
Për rastin Policia ka identifikuar tre të dyshuar, dhe me urdhër të Prokurorit ka realizuar dy bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.
Në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me mbishkrimin SIG-SAUER, me karikatorë dhe dy fishek.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren, e cila ka njoftuar se ka arrestuar dy persona.
Njëri nga ta akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa tjetri për “moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre”.
Të dyshuarit, pas intervistimit nga Policia, me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë./Gazeta Sinjali/