Komuna e Prizrenit në faqen e saj zyrtare ka njoftuar se pas diskutimeve publike me të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e fshatrave dhe ata të OJQ-ve, shoqatave e të biznesit në Komunën e Prizrenit, për hartimin e buxhetit 2023, sot kryetari Totaj ia ka dorëzuar projekt buxhetin Kryesueses së Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi, e cila do të vazhdoj me procedura të tjera ligjore deri në miratimin e buxhetit për vitin 2023 nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Njoftimi i plotë:
Pas një pune të madhe përmes dëgjimeve publike me të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e fshatrave dhe ata të OJQ-ve, shoqatave e të biznesit në Komunën e Prizrenit, për hartimin e buxhetit 2023, së bashku me zyrtarët komunalë të grupit për hartimin e buxhetit, kemi dhënë kohën dhe energjinë e duhur për kompletimin e projekt buxhetit 2023, në të cilin janë trajtuar të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe idetë e qytetarëve, të cilat, sipas prioriteteve, kanë hy në këtë projekt buxhet.
Këto dëgjime publike u mundësuan qytetarëve të jenë pjesë e ekzekutivit në formimin e qëndrimeve, duke ndihmuar kështu në krijimin e bashkëpunimit me Komunën e Prizrenit.
Sot, ia dorëzova projekt buxhetin Kryesueses së Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi, e cila do të vazhdoj me procedura të tjera ligjore deri në miratimin e buxhetit për vitin 2023 nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Pas miratimit në Kuvend, buxheti për vitin 2023 do të publikohet në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, në rubrikën “Financa”.