Prizren- Zyrtarja e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Shpresa Osmanollaj, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Osmanollaj dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndalimi i saj është bërë pas transmetimi të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Loja me numra për fitimin e lejeve ndërtimore”.
Hulumtimi ngrit dyshimet se Osmanollaj si zyrtare e Urbanizmit, kundërligjshëm kishte lëshuar lejen ndërtimore për objektin banesor “Lirimi 2” me një parcelë e cila ishte shfrytëzuar për kushtet teknike dhe lejen ndërtimore të objektit banesor “Lirimi 1”.
Në një përgjigje të dhënë përmes telefonit, Osmanollaj kishte mohuar se ishte shfrytëzuar parcela e njëjtë për të dy lejet ndërtimore, duke deklaruar se e para ishte lëshuar me Ligjin për Ndërtim, ndërsa leja e dytë me Hartën Zonale të Prizrenit.
Mirëpo, veprimet e Osmanollajt nuk kishin përfunduar vetëm me lëshimin e lejes ndërtimore.
Ajo kishte lëshuar certifikatën për përdorimin e objektit “Lirimi 1”, përkundër se objekti kishte pasur tejkalim të lejes ndërtimore, duke ndërtuar dhe një penthouse.
Madje, për këtë ndërtim pa leje, Drejtoria e Inspektorateve kishte ushtruar kallëzim penal në prokurori shtatë muaj para se Osmanollaj t’i lëshonte certifikatën e përdorimit.
Në anën tjetër, Osmanollaj aktualisht është nën hetime nga Prokuroria Themelore në Prizren edhe për lëshimin e lejes ndërtimore të objektit banesor dhe afarist “Albanica Home”, me pasi të njëjtit i kishte mundësuar ndërtimin e dy kateve më shumë sesa parashihen me Hartën Zonale.
Kësisoj, duke i mundësuar fitim milionësh, vëllait të shefit të kabinetit të kabinetit të kryetarit të komunës, Nehat Elshani, Albert Elshanit.
Për këtë, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se janë në pritje të ekspertizës./ Betimi për Drejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
youtube.com/watch?v=8NbbY80ywhU&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fbetimiperdrejtesi.com%2F&source_ve_path=MjM4NTE