Duke përdorur reforma agrare dhe mjete tjera të presionit, përkatësisht ushtarake, politike, ekonomike, etj. Si dhe duke mos ua njohur të drejtat, shqiptarët në Jugosllavi detyroheshin të migrojnë në Turqi dhe në Shqipëri.
Sipas shifrave jozyrtare thuhet se, ndërmjet viteve 1918 – 1929 në mënyra të ndryshme në Turqi u shpëngulen 130 mijë shqiptarë.
Këtyre shpënguljeve nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as banorët e komunës sonë dhe shumë prej tyre tani jetojnë e punojnë në Turqi, por asnjëherë nuk kanë harruar se nga kanë ardhur.
Lazim Salihu nga fshati Shajne i komunës së Dragashit ishte njëri nga ata që emigroi në këtë periudhë, në vitin 1926 emigroi në Turqi së bashku me gruan e tij (nga fshati Zhur) dhe dy djemtë e tij të lindur në Kosovë.
Lazimi jetoi dhe punoi në qytetin e Bursës, duke mos harruar vlerat dhe traditat prej nga vjen dhe u kujdes që këto vlera t’ua trashëgonte fëmijëve të tij, katër djem dhe një vajzë (3 prej të cilëve të lindur në Bursa) u rritën me frymën e atdheut dhe dashuris për të.
E me këtë dashuri u rrit edhe Salih Salihu, njëri nga djemtë e Lazimit. I lindur në vitin 1953 në Bursa, por me zemrën e tij gjithmonë në vendlindjen e të atit, ai u rrit, jetoi dhe punoi në qytetin e Bursës, u martua dhe është baba i dy fëmijëve, një djalë dhe një vajzë.
Plot 70 vite punë, përkushtim e mbi të gjitha mall e dashuri, ndërsa sot për herë të parë pas 97 vitesh nga familja e Lazimit, ai së bashku me vajzën e tij kanë vizituar vendlindjen e të atit, fshatin Shajne nga komuna e Dragashit, dhe u prit në mënyrë shumë të ngrohtë nga fshatarët.
Salihu është duke i hulumtuar mundësitë që të paiset me shtetësin e Kosovës, por po përballet me probleme me gjetjen e dokumenteve të babait të tij.
Salih Salihu, është një shembull që ngjall dashuri për atdheun dhe respekt për mërgimtarët shqiptarë që u detyruan të largoheshin nga atdheu në një mënyrë apo në një tjetër./Opoja.tv/