Dhuna në familje është një fenomen mjaft shqetësues dhe viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht nga burrat dhe për pasojë kërkojnë mbrojtje institucionale.
Në vendin tonë përditë raportohen raste të shumta të dhunës, ku gratë përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga partnerët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar edhe dje nga një grua në Prizren, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici.
Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se me të dyshuarin është e martuar tash e 16 vite dhe sipas saj, i njëjti në vazhdimësi ka ushtruar ndaj saj dhunë psikike dhe fizike. Rasti i fundit ka bërë që viktima të mos hesht më dhe të kërkojë ndihmë nga Policia.
Rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës ku kanë bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, raporton SO.
“Prizren 12.12.2022 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftimin e policisë.