Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila u ka dhënë deputetëve 34 ditë afat për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se aktgjykimi konfirmoi se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën. Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka bërë thirrje që gjatë ditëve në vijim deputetët të angazhohen për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, të cilat i ka cilësuar të panevojshme dhe të padrejta.
Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka konfirmuar për RTK-në se ky subjekt politik do të mbledhë nesër kryesinë dhe deputetët për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë Çitaku.
Mbledhja e PDK-së është paraparë të mbahet nesër në orën 14:00.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sjell qartësi në një moment të rëndësishëm institucional dhe rikthen procesin në Kuvend, duke u dhënë deputetëve afat për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Abdixhikut, përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit mbetet te shumica parlamentare, e cila duhet të ofrojë zgjidhje, ndërsa ka theksuar se LDK beson se kjo çështje duhet të zgjidhet me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese dhe jo me imponim.
Ai ka bërë të ditur se LDK është e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve, por ka theksuar se nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.
“Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri të deklarojë të pranueshme kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga kryeministri Albin Kurti, në emër të Qeverisë, dhe kërkesës së parashtruar nga Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës, ndërsa ka konstatuar se dekreti i Presidentes i datës 6 mars nuk prodhon asnjë efekt juridik.












































