Përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve kanë paralajmëruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim edhe në shtrenjtimin e bukës. Këtë paralajmërim, kryesuesi i Shoqatës, Bashkim Zejnullahu, e ka ndërlidhur me faktin se shumica e furrave e përdorin rrymën për prodhim. E përfaqësues të konsumatorëve kanë shprehur vërejtjen se bizneset e shfrytëzojnë çdo rast për t’i rritur çmimet e produkteve
Në rast të ngritjes së paralajmëruar të çmimit për energjinë elektrike të konsumuar nga 1 prilli, në Shoqatën e Mullisëve e kanë ngritur mundësinë edhe për shtrenjtimin e çmimit të bukës.
Kryetari i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, ka thënë se rritja e çmimit të bukës ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë të energjisë elektrike, pasi shumica e furrave e shfrytëzojnë rrymën për prodhimtari.
“Vetë përpunimi i grurit dhe përpunimi final i bukës ka si bazë energjinë elektrike. Pjesëmarrja e energjisë elektrike në përpunim është në përqindje shumë të madhe, që do të ndikonte drejtpërdrejt në koston e bukës”, ka theksuar Zejnullahu.
Por ekonomisti Fidan Qerimi e ka kualifikuar si të paarsyeshëm paralajmërimin për ngritjen e çmimit të bukës, teksa ka theksuar se kjo do të prodhonte rëndesë shtesë për ekonomitë familjare.
“Për ndryshimin e çmimit të bukës mendoj që është jashtëzakonisht jo i arsyeshëm, sepse kur kemi parasysh që në prodhim të bukës energjia elektrike nuk është një faktor shumë kyç në prodhimtari… Mendoj se është një barrë jashtëzakonisht e rëndë për të gjitha familjet kosovare, duke pasur parasysh që të ardhurat e tyre janë në nivele jo të kënaqshme”, ka theksuar ai.
Shqetësim për këtë kanë shprehur edhe qytetarë në Prishtinë.
“Tash për tash është i lartë, ama edhe nëse ngrihet përsëri, prapë do të jetë për ne shumë keq. Shumë, sepse nuk do të mund ta përballojmë këtë ngritje, herë të rrymës e herë të gjërave të tjera”, ka theksuar qytetarja Zyrije Ahmeti.
Me këtë qëndrim është pajtuar edhe Jusuf Gashi.
“Ky çmim i bukës është i përballueshëm edhe tash për tash, e nëse ngrihet prapë, për besë do t’i dëmtojë shumë familje”, është shprehur ai.
E drejtuesi i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka shprehur vërejtjen se bizneset mezi presin të shfrytëzojnë rast për t’i ngritur çmimet e produkteve.
“Kjo deklaratë nuk është e çuditshme, as e befasishme. Është diçka që ndodh jo vetëm me furrtarët, por me të gjitha bizneset. Sepse kur një artikull, një shërbim a produkt merr ngritje çmimi, reagimi i tyre është i menjëhershëm. Por, kur ai çmim kthehet mbrapsht, asnjëri nga ta nuk reagon”, ka theksuar ai.
Kaçaniku ka paralajmëruar po ashtu se rritja e çmimit të energjisë elektrike, krahas në atë të bukës, do të ketë ndikim edhe në shtrenjtimin e produkteve të tjera.
Në Shoqatën e Mullisëve e patën shtrenjtuar çmimin e bukës edhe në vitin 2022. Asokohe, çmimi për një bukë u rrit nga 0.40 në 0.50 euro, e në disa qytete edhe në 0.60 euro. Kjo pati prodhuar reagime të shumta nga qytetarët. E për ngritjen e çmimeve, furrtarët asokohe u patën arsyetuar me rritjen e çmimit të miellit, si pasojë e luftës në Ukrainë.