Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se nga muaji mars, çmimi i derivateve do të bie dukshëm. Sipas Berjanit, çmimi i derivateve në Kosovë është më lirë krahasuar me vendet e rajonit.
Berjani ka thënë se vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është i njëanshëm por që thotë se janë duke e respektuar.
Ai thotë se nuk kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në konsulta ditën kur është marrë vendimi për marzhën e fitimit.
“Sa i përket vendimit të Ministrisë së Tregtisë ky është një vendim i cili është nxjerr pa prezencën tonë, ku obligative ka qenë që pjesë e këtij vendimi për tu nxjerr është dashur që të jetë edhe Shoqata e Naftëtarëve. Po ne si shoqatë dhe si biznese të sektorit të naftës vendimi është duke u respektuar dhe u respektua me kohë. Ky vendim është pak më ndryshe se dy vendimet e kaluara ky është me marzhe tregtare apo marzhe fitimi. Marzha e fitimit është për importues 2 cent, ndërsa me pakicë është 12 cent. Nuk është e mjaftueshme kjo marzh, por vendimi po respektohet në gjithë Kosovën”, thotë ai.
Ata të cilët e kanë keqpërdorur unë jam për ti gjykuar, po unë nuk kam informata se dikush ka keqpërdorur, ato informata në qoftë se i ka Ministria e Tregtisë duhet që të merret me ta. Jo tash për dy tri kompani qoftë se kanë keqpërdorur të pësojnë 650 pika karburanti.
Berjani ka thënë se çmimi derivateve në Kosovë është shumë i ulët. Çmimi aktual në treh është rreth 1.35 cent për litër.
“Sa i përket çmimit të derivateve të naftës, çmimi sot sillet një litër dizel 1 euro e 35 cent, ndërsa benzina 1, euro e 32 cent. Jemi më të lirët në regjion përveç Maqedonisë së Veriut, kështu që qytetarët tonë janë me një çmimi real duke u furnizuar në treg. Sipas informatave që i kemi nga organizata prodhuese ‘OPEK’, është një realitete dhe pritet që muaji mars të jetë ende me çmim të derivateve më të lirë. Kështu që mendojmë sipas organizatës prodhuese ‘OPEK’ e cila e ka nxjerr një vendim thuhet se fundi i marsit do të jetë stabilizim i tregut në tërë globin”, u shpreh ai.
Ndërsa për kërkesat e opozitës që të largohet përkohësisht akciza e naftës, Berjani i konsideron si të padrejta. Thotë se me të mbushet buxheti i shtetit.
“Unë as një herë nuk e kam kërkuar heqjen e akcizës edhe kur ka qenë kryeministri Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, tash Albin Kurti, as një herë nuk kam kërkuar se mbushte buxheti i Kosovës edhe shumë parti politike më tepër janë duke e bërë spektakël mediatik partitë politike, për të fituar poenë politikë që kërkojnë me heq akcizën, ata e dinë që akciza e mbush buxhetin dhe nuk duhet që të kërkohet. As nuk e kam kërkuar dhe prapë nuk e kërkojmë”, thotë ai, teksa tregoi edhe për çmimet që sillen në rajon.
“Sot një litër dizel në Shqipëri është 1 euro e 75 cent, benzina 1 euro e 78 cent, kështu që për 40 cent ne jemi më të lirë nga Shqipëria. Atje ka shumë taksa shtesë, ne e kemi përveç akcizës dhe tvzh-së, ata kanë edhe të rrugëve edhe kanë taksa shtesë tjera”, thotë Berjani për EO.