Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka thënë se si i rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW.
Në njoftimin e publikuar të martën në mbrëmje thuhet se KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit.
“Njoftojmë opinionin publik se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit më 13 janar 2026 dhe 14 janar 2026, Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW”, thuhet në njoftim.
Sipas KOSTT për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar.
Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në njoftim.
Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.
Tutje thuhet se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit. /Telegrafi/
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fpermalink.php%3Fstory_fbid%3Dpfbid02YvGGRL28Dq2tmxJGqwcpVPEgGchxihB4a6imUXU4Ec3QAtsoFUkWfBQFyXG8crwVl%26id%3D100063613080665&show_text=true&width=500














































