Një studim i ri i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara ngre dyshime për një lidhje të mundshme midis përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe një rreziku më të lartë për zhvillimin e ADHD (çrregullim i vëmendjes me hiperaktivitet) te fëmijët.
Marrja e ilaçeve gjatë shtatzënisë dhe gjatë periudhës së gjidhënies shpesh lidhet me shqetësime për efektet e mundshme negative te fetusi apo i porsalinduri. Edhe pse shumica e ilaçeve mund të kalojnë placentën dhe të arrijnë tek fetusi, vetëm pak prej tyre janë të lidhur me ndërlikime serioze.
Paracetamoli, një nga barnat më të përdorura për dhimbje dhe temperaturë, konsiderohet i sigurt në rast përdorimi të rastësishëm ose për periudha të shkurtra. Megjithatë, përdorimi për më shumë se tri ditë duhet të vlerësohet nga mjeku. Në vitet e fundit, disa studime kanë shqyrtuar një lidhje të mundshme midis përdorimit të tij në shtatzëni dhe rrezikut për ADHD.
Një studim i vitit 2023 me mbi 2.5 milionë fëmijë nuk tregoi asnjë lidhje, ndërsa një tjetër studim i vitit 2019 me 4.700 fëmijë e lidhi përdorimin e paracetamolit me një rritje prej 20% të rrezikut për ADHD. Tani, një studim i ri i Universitetit të Uashingtonit mbështet rezultatet e vitit 2019. Studiuesit analizuan 307 nëna dhe fëmijët e tyre, duke zbuluar se fëmijët e ekspozuar ndaj paracetamolit në bark ishin 3.15 herë më të rrezikuar për të zhvilluar ADHD deri në moshën 10 vjeç. Rreziku ishte edhe më i lartë për vajzat: 6.16 herë më shumë në krahasim me vajzat që nuk ishin ekspozuar.
Megjithatë, për shkak të numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, kërkohen studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë mekanizmat biologjikë dhe nëse udhëzimet aktuale për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë duhet të ndryshojnë.