Miratimi i koeficientit të pagave pritet ta ndryshojë mënyrën se si do të paguhen kryetarët e 38 komunave të Kosovës.
Kjo pasi Ligji i ri për paga në sektorin publik parasheh që kryetarët e komunave të paguhen në bazë të numrit të banorëve që ka komuna që ata udhëheqin.
Vlera e koeficientit prej 105 euro do të caktojë pagat e kryetarëve të komunave të Kosovës të ndara në 7 kategori. Koeficienti 15 i takon kryetarit të kryeqytetit, që ka më së shumti banorë ndërsa koeficienti 11.8 për kryetarët e komunave që kanë më së paku banorë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 dhe vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, Prizreni është me mbi 100 mijë banorë në Kosovë.
Rrjedhimisht, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj do të ketë pagën bazuar në koeficientin 13, apo pagën e dytë më të madhe nga kryetarët e komunave pas kryetarit të kryeqytetit.
Bazuar në vlerën e koeficientit prej 105 euro, paga e kryetarit të Prizrenit për vitin 2023 pritet të jetë 1,365 euro.