Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 01.03.2026, paralajmëroi se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të shpërndahet në fund të muajit mars.
Ai tha se përmbushja e zotimeve të fushatës elektorale në zgjedhjet e parakohshme ka nisur me miratimin e Buxhetit për vitin 2026, i cili është në vlerë rreth 4 miliardë euro.
Më 20 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Buxhetin për vitin 2026, i cili parashikon edhe ekzekutimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Derisa, Presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar të premten Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Përfaqësuesit e sindikatave shprehen se pagesa është e paraparë në ligj dhe nuk ka arsye për vonesa, duke kërkuar nga institucionet që zotimi i dhënë të zbatohet pa zvarritje dhe me transparencë të plotë.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj ka deklaruar për “Front Online” se deri më tani nuk ka pasur asnjë takim me ministrin e ri, Hekuran Murati, për të biseduar lidhur me ekzekutimin e pagës së 13-ta.
“S’kemi pas ndonjë takim se Ministri ende nuk ka formuar kabinetin. Jemi në pritje që të kemi takimin e parë me të”, tha ai.
Ai thotë se punëtorët e arsimit janë në pritje të realizimit të premtimit për pagën e 13-të, premtim që është dhënë nga kryeministri Albin Kurti.
“Punëtorët janë në pritje të pagës së 13 te shohim a po e mbajnë fjalët apo jo se kanë premtuar që kur miratohet buxheti do të dalin pagat”, ka deklaruar Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, në një prononcim për “Front Online” tha se paga e 13-të për punëtorët e administratës publike duhet të ekzekutohet gjatë muajve mars ose prill.
Gashi shprehet se nuk ka asnjë arsye për vonesa të mëtejshme.
Ai bëri të ditur se deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga ministria e financave.
Avdi Hoti, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, është shprehur për “Front Online” se deri më tani nuk kanë zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë lidhur me ekzekutimin e pagës së 13-të për zyrtarët policorë.
Ai tha se pagesa e 13-të ka qenë pjesë e premtimeve elektorale dhe se tashmë është e përfshirë në buxhetin e miratuar.
“S’kemi pasur takime. Po presim në fund të marsit të dal paga e 13-të, ashtu siç është premtuar. Premtim elektoral ka qenë dhe i ka fituar zgjedhjet, prandaj duhet të realizohet pasi është e planifikuar edhe në buxhet dhe është miratuar ku është edhe paga e 13”, tha Hoti për “Front Online”.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka tha për “Front Online” paga e 13-të për zjarrfikësit është premtuar të ekzekutohet bashkë me pagën e muajit mars, por mbetet të shihet nëse ky zotim do të realizohet.
Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga Ministria e Financave lidhur me këtë çështje.
“Ai e ka premtuar, në bazë të deklaratave ka me qenë me pagë të marsit, mbetet ta shohim a po i ekzekutojnë apo jo, pasi kanë premtuar vetë kështu. Komunikim s’kemi pas me dikë nga Ministria. Po presim a ka qenë premtim elektoral apo jo”, u shpreh Beka për “Front Online”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se pagën e 13-të do të mund ta marrin vetëm ata të cilët paraprakisht kanë 12 muaj punë.
Murati ka deklaruar se ata të cilët kanë më pak se 12 muaj punë, atëherë këtë pagë do të mund ta marrin në vitin e ardhshëm.
“Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Me fjalë të tjera, nëse dikush ka filluar rishtazi do ta marrë pagën e 12-të në vitin e ardhshëm. Kështu që kjo është e paraparë që paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por që kanë punuar së paku 12 muaj, para se të paguhet paga e 13-të”, tha ai në një deklarim për media pas mbledhjes së Qeverisë.














































