Deri në orën 2 pas mesnatës së të premtes, Kuvendi i Kosovës diskutoi për dialogun me Serbinë, specifikisht për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Opozita kritikoi kryeministrin Albin Kurti se e ka pranuar Asociacionin përmes propozimit evropian, ndërsa kreu i ekzekutivit tha se kurrë nuk do ta pranojë të njëjtin.
Por, presioni ndërkombëtar sa vjen e shtohet për këtë çështje.
Ishte SHBA-ja ajo që menjëherë pas përfundimit të takimit të fundit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit (27 shkurt) u deklarua.
Pasi lavdëroi palët për pajtueshmëri, kërkoi themelimin e Asociacionit duke thënë se i njëjti është kritik për të ardhmen e Kosovës.
E veç SHBA-së, edhe Gjermania po e kërkon të njëjtën nga Kosova.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, Ambasada Gjermane në Prishtinë tha se Kosova duhet të tregohet e gatshme që t’i fillojë bisedimet konkrete për Asociacionin.
“Kosova tani duhet të tregojë gatishmëri për të filluar bisedimet konkrete për ASM-në. Sepse pa të një marrëveshje nuk do të jetë e mundur”, u theksua në përgjigjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë për Klankosova.tv.