Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku u fol për rritje të pagave dhe pensioneve, pa përmendur pensionet e veteranëve të luftës.
Në reagimin e tyre në Facebook, OVL-UÇK thekson se Qeveria në detyrë po tenton të krijojë “përshtypje mashtruese” me premtime që nuk mund të realizohen pa miratim të buxhetit nga Kuvendi.
“Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit.
OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe,”* thuhet në reagim.
Organizata kërkon që veteranët të përfshihen në çdo rritje sociale të ardhshme dhe të trajtohen me dinjitet, duke respektuar ligjet që garantojnë të drejtat e tyre.
 
            












































