Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sërish për vendimin e Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani ka falënderuar të gjithë anëtarët e Asamblesë së APKE-së, duke thënë se të kesh Kosovën në KiE, do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut.
“Faleminderit të gjithë anëtarëve të Asamblesë së APKE-së që po na mbështesin në këtë kauzë. Të kesh Kosovën në Këshillin e Evropës do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut”, shkroi ajo.
Me 18 prill Asambleja parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.
Komisioni tërhoqi vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa theksoi se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.
Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.